Komuna e Gjilanit lë studentët pa bursa

Përgatiti: Donisa Fazliu

Ardiana Jashari, studente e vitit të tretë, në Departamentin e Gazetarisë, në Universitetin “Hasan Prishtina”, edhe këtë vit i ka plotësuar kushtet për të qenë përfituese e bursës komunale.

Por ajo dhe shumë studentë të tjerë të Gjilanit nuk do të jenë përfitues të bursave komunale, pasi komuna ende nuk ka shpallur konkurs, i cili do të duhej të ishte hapur që në muajin prill.

“Unë si studente e Gjilanit kam pritur që si vitin e kaluar të hapet konkursi për me përfitu bursën komunale, por pritja ka qenë e kotë pasi që komuna e Gjilanit doli me njoftimin se nuk do të ketë konkurs për bursa. Për mua si student, ky vendim i komunës nuk është i drejtë, pasi në një mënyrë po dëmtohemi ne studentët, po na mohohet e drejta legjitime për të përfituar bursën komunale, bursë kjo e cila është një ndihmesë e madhe për secilin student. Ne studentët e vitit të tretë nuk kemi të drejtë të aplikojmë dhe kjo gjë paraqet problem për ne”, tha Ardiana Jashari, studente e gazetarisë.

Ajo kritikon komunën se as nuk i njoftoi paraprakisht, derisa bën thirrje për ndryshimin e këtij vendimi.

“Gjëja më e çuditshme në këtë mes është se komuna thotë se nuk ka buxhet për të ndarë bursa për vitin akademik 2022/2023, por në anën tjetër thotë se do të ndajë bursa për vitin akademik 2023/2024, unë kërkoj nga komuna që ta ndalojnë këtë vendim dhe të na ofrojë të drejtën për përfitim të bursës komunale”, u shpreh Ardiana.

Komuna e Gjilanit, në një përgjigje me shkrim për ATV-në, tha se kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen e kuvendit Komunal gjatë muajit shtator.

“Çështja e bursave është proceduar në Kuvend, për seancën e shtatorit. Sapo të votohet në seancën e Kuvendit, të muajit shtator, menjëherë do të shpallet konkursi, dhe, studentët mund të aplikojnë në konkurs”, thuhet në përgjigjen e Hekuran Rapucas nga komuna e Gjilanit.

Në vitin akademik 2021/2022, komuna e Gjilanit ka ndarë 289 bursa, në vlerë prej 150 mijë eurosh për studentët e Gjilanit, derisa gjatë vitit akademik 2019/2020, ka ndarë 200 bursa me vlerë 100 mijë euro.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA