Përgatiti: Jeta Selmanaj
Të premten me një shtator filloi viti i ri shkollor 2023/2024.
Për dallim nga vitet e kaluara kur zakonisht problem ishin grevat, këtë vit problem është pajisja me tekste shkollore, të cilat ka 15 vite që sigurohen përmes Ministrisë së Arsimit dhe nxënësit i marrin falas në objekte shkollore.
Por, këtë vit MASHT-i bëri një ndryshim që librat i blejnë prindërit me paratë subvencionuara nga Qeveria e Kosovës e që për këto para prindërit u udhëzuan të aplikojnë sistemin elektronik E-Kosova.
Kjo gjë ndodhi në arsyetimin e MASHT-it për transparencë dhe menaxhimin e mirë të buxhetit të shtetit.
“Për të filluar mbarë vitin e ri shkollor dy mijë e njëzet e tre-dy mijë e njëzet e katër, me qëllim të rritjes së transparencës dhe menaxhimit të mirë të buxhetit, mjetet për sigurimin e teksteve do të deponohen në xhirollogaritë e prindërve”, kishte thënë ministrja Nagavci në video mesazhin përmes të cilit u bëri thirrje prindërve të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Por, kaq e thjeshtë sa për Ministrinë e Arsimit nuk ishte për prindërit. Aplikimi në E-Kosova për rimbursim hapi probleme të reja, prindër pa xhirollogari bankare, prindër që patën probleme në aplikim, komuna që nuk kanë librari e prindër që u detyruan të shkojnë në komuna të tjera për blerjen e librave.
“Vëshir është sepse më së pari ti duhet me shku me kerr. Pa pasë kerr nuk mund shkon në Ferizaj a në Prishtinë. Tash normal duhet me qenë një librari këtu në Kaçanik”, thotë një prind.
Mundësitë e ulëta financiare që librat t’i blejnë para një shtatorit, para se t’i marrin subvencionet e shumë probleme të tjera, për këtë çështje u deklaruan edhe njohësit e arsimit.
Në anën tjetër, ndarja e shumave për blerjen e librave për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën nga pesëdhjetë euro për tekste shkollore dhe tridhjetë euro për mjete shkollore nga librashitësit u konsiderua e mjaftueshme.
“Mendoj që është çmim i favorshëm kështu se pesëdhjetë euro bëhet kompleti i librave, tridhjetë euro mbesin për këto produkte tjera harxhuese”, thotë një shitës në një librari.
Pavarësisht kësaj, me një shtator pati fëmijë që klasën e parë e filluan pa libra, sepse subvencionet për to nuk kanë dalë ende për të gjithë dhe jo të gjithë prindërit patën mundësi financiare t’i blejnë librat për fëmijët e tyre, para se paratë dalin nga shteti.
“Do t’i blej sivjet librat edhe kështu që unë nuk kena ba kurrafr pyetjeje a duhet me i siguru shkolla apo dikush tjetër”, thotë një prind.
“Po thonë që me i ble, po ne s’kemi mundësi me i ble, ku me marrë me ble pa punë, pa sen…”, thotë një prind tjetër.
Pikërisht për këtë arsye edhe mësimdhënësit ankohen se këto vonesa do të shkaktojnë probleme në procesin mësimor.
“Sigurisht do të jetë shumë e vështirë nëse nuk pajisen me libra për shkak që neve do të na mbesin orë të pazhvilluara, sipas planifikimit, por ne po urojmë që do të do të gjejnë zgjidhje prindërit dhe nuk do të humbasim mësim as fëmijët, po edhe ne nuk do të mbesim prapa për sa i përket planprogramit”, thotë një mësimdhënëse.
Me 29 gusht përfunduan procedurat e pagesave për Grupin e parë të aplikuesve, e që ishin tetëdhjetë e një mijë aplikime, sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit.
Ndërkaq, Grupi i dytë i aplikuesve do të rimbursohet ditë dhe në vazhdim, sipas MASHT-it.
Kjo ministri gjithashtu ka njoftuar që aplikimi në e-Kosova do të mbetet i hapur deri më tridhjetë shtator.
Po ashtu, Ministria e Arsimit ka premtuar se do të ofrohet ndihmë e nevojshme të gjithë prindërve që hasin në probleme në sigurimin e teksteve shkollore dhe se asnjë fëmijë nuk do të mbesë pa libra.
Më shumë detaje rreth kësaj çështje i gjeni në emisionin “A LIVE”, të cilin e gjeni në videon më poshtë: