Përgatiti: Nexhmie Hyseni
Burhan Ibrahimoviq, pjesëtar i komunitetit rom, po pretendon se është rrahur keq nga disa zyrtarë policorë në stacionin e policisë në Graçanicë më 19 gusht.
Ibrahimoviq, që tash e tri vjet jeton në Prishtinë, thotë se kjo ndodhi pas shoqërimit të tij në polici pas një konflikti verbal që ai kishte me një fqinje të tij në Graçanicë.
Në mbështetje të tij, dhjetëra protestues u mblodhën të martën para stacionit policorë në Graçanicë me qëllim të, siç u tha, rritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj, në shërbim të parandalimit të shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Pas 10 minutave të atij konflikti ku zonja ka thirrë Policinë dhe ka ardhë, më kanë marrë dhe më kanë pru në stacion të policisë, ku më kanë mbajtë një orë e gjysmë. Pastaj më kanë dhënë një gjobë dhe nuk kanë treguar për çfarë arsye është. Pasi kam arritë, lart qëndronin rreth pesë policë dhe kam pyet pse është gjoba, do ta marr do shkoj te një avokat në Prishtinë, ku do ta filloj procesin në mënyrë ligjore”, tha Ibrahimoviq.
Në këtë pikë, pas fjalosjes me policët, ai thotë se e kanë futur në një dhomë tjetër, ku edhe ka nisur dhuna ndaj tij.
“Menjëherë pas atij konflikti, policët më dërguan me një dhomë, ku filluan të godisnin me grushte, syri ka qenë i enjtur dhe dhembjen në qafë e ndjej ende. Pastaj, sërish më kanë marrë në paraburgim ku më kanë mbajtur një orë, kam kërkuar ujë, por as nuk dëgjonin. Ka ardhë një mjeke këtu, ku më ka pyetur nëse kam dhimbje, por prej frikës së policit kam thënë nuk kam asgjë”, tha Ibrahimoviq.
Driton Berisha nga Lëvizja “Opre Roma Kosova” ka kërkuar nga institucionet përkatëse veprime konkrete lidhur me rastin.
“Burhani e ka shprehur këtë shqetësim, ka pas rrahje brenda Stacionit të Policisë, një gjë që ka konfirmuar edhe raporti mjekësor. Jemi me të, që të kërkojmë drejtësi duke u mbështetur në institucione ligjore. Këtë rast do ta përcjellim deri në fund, dhe të japim një shembull që mos t’i ndodhë askujt kjo që i ndodhi Burhanit”, tha Driton Berisha, “Opre Roma Kosova”.
Pas raportimit të rastit, Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar gjatë së martës së ka nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, porse deri më tani, ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga ngjarja, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për suspendimin e zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.