Ridvan Muharremi, një afarist nga Prishtina, po dyshohet se u përfshi në keqpërdorimet me rezervat shtetërore.
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Muharremi, së bashku me dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, po mbahen në paraburgim për 30 ditë.
Në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, siç përshkruhet në dosje, avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, gjithë procesin ndaj klientit të tij e ka quajtur politik. Ai gjithashtu kishte kërkuar që të refuzohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj Ridvan Muharremit.
Mes tjerash, avokati Halimi tha se në rastin ndaj Ridvan Muharremit nuk ka asnjë keqpërdorim e as vjedhje.
Sipas dosjes, Halimi ka thënë se Ridvan Muharremi vjen nga një familje me traditë patriotike, është një afarist i suksesshëm dhe njeh njerëz nga shumë vende të botës.
Avokati Mahmut Halimi e ka pranuar se klienti i tij u angazhua për t’i siguruar kontaktet rreth rezervave shtetërore. Ai tha se kontaktin me pronarin e kompanisë “Yafe Turizm” nga Turqia e ka pasur në restorantin e tij në Prishtinë “Bukë e Zemër”, duke i kërkuar atij ndihmë për sigurimin e rezervave shtetërore.
Kjo, sipas avokatit, u bë për shkak të gjendjes së krijuar në tregun ndërkombëtarë pas agresionit rus mbi Ukrainën.