Përgatiti: Fatlum Jashari
Në ditën e dytë të vizitës në Athinë, kryeministri Albin Kurti u prit në një takim dypalësh, në pallatin Maximos, nga homologu grek Kyriakos Mitsotakis.
Në komunikatat pas takimit, kryeministritë e të dyjave vendeve nuk përmendën njohjen eventuale të Kosovës – ndonëse thanë se Kurti e Mitsotakis folën për thellim të marrëdhënieve, veçmas të atyre ekonomike.
Dialogu Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, u përmend si temë diskutimi në të dyja komunikatat.
“Biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
“Në takimin e Kyriakos Mitsotakis me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është diskutuar për vazhdimin e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe me theks në bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri nënvizoi rëndësinë që Greqia i kushton dialogut Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Greqisë.
Për takim dypalësh nuk u njoftua, por në darkën jo-zyrtare në Athinë kryeministri Albin Kurti pati një shtrëngim duarsh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Me liderët e Greqisë dhe Ukrainës, takime bilaterale pati presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, i cili tha se pozicioni i dy shteteve jo-njohëse të Kosovës nuk ka ndryshuar.
Për takimin me Vucicin, Zelenskyt i reagoi deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko.
“Serbia është aleat i Rusisë. Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo, jo pse ne jemi aq të këqij, por sepse populli i Serbisë mbështetë Rusinë me një shumë të pabesueshme. Atëherë, a duhet të takohemi? Po, sigurisht. A duhet të bëjmë kompromis me parimet tona? Jo. Ukraina, duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Goncharenko.
Goncharenko mori mbështetje edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
“Saktësisht, ka shumë të ngjarë që Vucic u pajtua të takohet me Zelenskyn që kryesisht të bëj presion ndaj Ukrainës: armë për mosnjohje të Kosovës. Shpresoj që Zelensky ta kuptoj se çfarë rreziku politik mund t’i sjellë një marrëveshje e tillë. Pavarësia e Kosovës dhe stabiliteti janë po ashtu interes i Ukrainës”, ka shkruar Von Cramon.
Të hënën mbrëma, në Samitin e Athinës, Kosova u bw pjesw e deklaratës së përbashkët të shteteve Ballkanike që mbështesin Ukrainën dhe të ardhmen e saj evropiane.