Përgatiti: Kastriot Tahiri
Vetëm 60 aktivitete nga 175 i ka realizuar Qeveria në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit.
Lëvizja Fol ka publikuar të dhënat nga monitorimi i realizimit të aktiviteteve të parapara për gjysmën e parë të vitit në kuadër të Planit Kombëtar për Zhvillim 2023-2025.
Drejtoresha e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli tha se në analizimin e gjashtëmujorit të parë të Planit Kombëtar për Zhvillim të Qeverisë, kanë vërejtur mangësi të shumta.
“Elementet kryesore të Planit Kombëtar për Zhvillim janë: qëllimet zhvillimore dhe strategjike të shoqëruara me tregues të ndikimit dhe tregues kryesor të rezultateve, masat strategjike të shoqëruara me tregues të rezultateve, veprimet e shoqëruara me tregues të produkteve, peshimi i masave strategjike dhe veprimeve, afatet kohore, buxheti dhe elemente tjera më pak të rëndësishme. Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë me programin legjislativ për vitin 2023. Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në Planin Legjislativ, gjithashtu ka paraparë 5 projektligje, mirëpo asnjëra nuk është përfshirë në Planin Strategjik Kombëtar”, tha ajo.
Ndërkaq hulumtuesja e lartë në Lëvizjen FOL, Albani Hasani prezantoi realizimin e këtyre aktiviteteve për secilën ministri. Rezulton se Zyra e Kryeministrit ka realizuar vetëm 13 aktivitete.
“Zyra e Kryeministrit, pa përfshirë edhe agjencitë varëse në Planin Kombëtar për Zhvillim ka paraparë realizimin e 47 aktivitete, ndërsa deri në fund të muajit qershor ka arritur të realizojë vetëm 12 prej tyre”, tha Hasani.
Ndërkaq, sipas Lëvizjes Fol, përveç zyrës së kryeministrit në realizimin e aktiviteteve nuk qëndrojnë më mirë as ministritë. Asnjëra prej tyre nuk arriti të përfundoi as gjysmën e aktiviteteve të parapara.