Përgatiti: Benita Zeneli
Ligji për arsimin parauniversitar e detyron Ministrinë e Arsimit t’i furnizojë nxënësit me tekste shkollore, falas.
Por, vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor për nxënësit ende nuk janë siguruar tekstet, nën arsyetimin siç e dha MASHTI që shtëpitë botuese i kanë shtrenjtuar çmimet.
Dhe pavarësisht që ky institucion pati një takim gjatë së martës me shtëpitë botuese nuk është njoftuar nëse u arrit ndonjë marrëveshje.
Njëkohësisht njëra prej shtëpive botuese njoftoi se ka përgatitur padi kundër ministres Nagavci për shkak të deklaratave të saj rreth çmimeve për libra.
Ish-zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, vlerëson se ministria procedurat për furnizim me libra do të duhej t’i kishte përfunduar qysh herët.
“3 ditë e kanë lënë të hapur tenderin. Më pas e kan mbyll. Kjo ministër duhet të jap dorëheqje…”, tha Mustafa.
Për situatën e krijuar, MASHTIN e fajësojnë edhe nga Sindikata e Arsimit.
Furnizimi me libra shkollor, falas kishte filluar para 15 vjetësh, në vitin 2008.
Ndërkaq këtë vit përveç se nuk janë siguruar ende librat, nga ministria madje kanë njoftuar se blerja e librave të rinj do të bëhet vetëm për nxënësit nga klasa e 1 deri në të 5-tën. Ndërkaq nga e 6-ta deri në të 9-tën do të shërbehen me tekste të vitit të shkuar.