PËRGATITI: SARA SHEHU
Njohësit e arsimit, planin e Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e teksteve shkollore, e cilësojnë si jo diçka të re. Sipas tyre, edhe disa vite më parë, prindërit i kanë blerë vet teksteve shkollore për fëmijët e tyre. Teksa njohësit e fushës ftojnë institucionet që të përkujdesen për nivelizimin e çmimeve të librave, prindërit shpresojnë që ky plan të sjell efekte pozitive.
Pas disa vite, përsëri këtë vit prindërit do të përkujdesen vet për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre, por kësaj radhe përmes subvencionimit të Qeverisë së Kosovës.
Ky ndryshim pritet të ndodhë në bazë të një plani që Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Megjithatë, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, thotë se ky është një hap që ka ndodhur më herët në një formë tjetër.
“Kjo praktike për blerjen e librave nuk është ndonjë risi, pasi që edhe para se të jepeshin fal librat, prindërit kanë blerë domethënë libra vet për fëmijët e tyre. Pra e njëjta veçse është kthyer në një format tjetër”.
Mes tjerash, Qehaja, është skeptik nëse ministria e arsimit ka kapacitete të mjaftueshme për të realizuar këtë plan në një kohë kaq të shkurtër.
“Kjo është një ide që kërkon shumë debat, kërkon një përfshirje të madhe të institucioneve, shtëpive botuese, prindërve, domethënë kërkon tejet përkushtim të madh. Edhe çka duhet me bo Ministria është që të përkujdeset sa më shumë për çmimet e teksteve shkollore, mos me u tejkalu shuma që kanë me nda Ministria e arsimit për prindërit që do t’i blejnë tekstet shkollore”.
Për këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, reagime ka pasur edhe nga deputetët opozitarë, të cilët e kundërshtuan atë.
“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre. Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë”.
“Paramendoni, Shtëpitë Botuese e kanë vet në dorë të vendosin çmimin e librave. Ato nuk do t’i shesin librat me çmimin me lirim që do të ia ofronin Qeverisë, por çmimi do të jetë deri 20% më i shtrenjtë. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të avulloj së paku 2 milion euro nga buxheti i Kosovës, nën petkun e kursimit të parave për tekste shkollore”.
Ndërkohë, prindërit e nxënësve edhe pse nuk ishin të informuar, shpresojnë që ky plan të ketë efektet e veta.
“Është një ide e qëlluar, mendoj se është më e mirë, dhe shpresoj se nuk do të ketë keqpërdorime me para nga shtëpitë botuese”.
“Po mendoj se është një plan i mirë që t’i blejmë ne në bashkëpunim me Ministrinë”.
Deri tani, Ministria i ka blerë librat direkt nëpër shtëpi botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.