Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj deklaroi sot se një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit. Begaj potencoi se organizimi i zgjedhjeve lokale, të drejta, të lira dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve, janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane.
Begaj, gjatë takimit me përfaqësues të institucioneve dhe strukturave të angazhuara në organizimin, administrimin dhe vlerësimin e procesit zgjedhor, përfaqësues të trupit diplomatik dhe OSBE- ODIHR u shpreh se proceset demokratike në Shqipëri janë ndërtuar dhe forcuar me kontributin e çdo bashkëqytetari të angazhuar brenda e jashtë vendit.
“Institucionet që ju përfaqësoni, kanë përgjegjësinë e madhe të prezantimit, menaxhimit dhe performancës, të të gjithë procesit zgjedhor sipas standardeve demokratike. Miradministrimi i këtyre zgjedhjeve nga ana juaj, sipas përgjegjësive që ju ngarkon ligji, duhet të përmbushi këto standarde të pacenueshme, në mënyrë që këto zgjedhje të mos cilësohen thjesht si më të mira se sa ato të viteve të mëparshme. Është më se e natyrshme që partitë politike të përfshihen në fushatë elektorale me gjithë entuziazmin që përfaqësojnë ofertat politike, por ky nuk mund të jetë entuziazmi i asnjë aktori institucional përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Partitë politike duhet të paraqesin vetëm ofertën! Kjo ofertë duhet dhënë në mënyrë sa më të qartë dhe sa më transparente.”, u shpreh ai.
Begaj potencoi se fenomenet e shit-blerjes së votës, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të pa tolerueshme.
Ai tha se institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor.
“Sot, kuadri zgjedhor është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse janë më të avancuara. Fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të pa tolërueshme. Policia, si dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cenojë procesin zgjedhor. Organizuesit dhe monitoruesit e zgjedhjeve, gjithashtu dhe të gjitha institucionet e përfshira në proces, duhet të punojnë me paanësi, e përgjegjshmëri.”, u shpreh ai.
Presidenti Begaj u bëri thirrje të gjithë subjekteve të përfshira në fushatë elektorale, që të mos e konsiderojnë konkurrimin si mundësi të denigrimit të njëri-tjetrit, por të angazhohen në garë me idetë më inovative për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Ai tha se organizimi i zgjedhjeve lokale, të drejta, të lira dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane.
“Etika e garës dhe e komunikimit duhet të rrezatojë qytetari, mirësjellje dhe respekt, jo negativitet armiqësi apo agresivitet; argumente dhe jo sharje; mundësi zgjedhjeje dhe jo kërcënime; respekt të ndërsjellë dhe jo armiqësi ndaj njëri-tjetrit. Kjo është fryma me të cilën duhet të zhvillohet një debat i natyrshëm publik përpara një procesi zgjedhor. Organizimi i zgjedhjeve të drejta, të lira, të ndershme dhe përmbushja e vullnetit të qytetarëve janë pjesë e pandashme e aspiratës së Shqipërisë evropiane, çka synon forcimin e besimit në institucionet e vendit dhe hedhjen e hapave të sigurt drejt anëtarësimit në BE. Për këto dy aspirata, këto zgjedhje kanë një rol vendimtar.”, nënvizoi ai.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u bëri thirrje qytetarëve, që në zgjedhje të ushtrojnë vullnetin e tyre, “të mirëinformuar dhe krejt të lirë”.
Ai shtoi se zgjedhjet nuk janë të partive politike, por janë për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë.
Zgjedhjet lokale në Shqipëri do të mbahen në muajin maj, ndërsa fushata zgjedhore do të nisë nesër.