Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka publikuar fotografinë e të riut që vdiq si pasojë e aksidentit në tek rreth-rrotullimi në Lakrishtë.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes e farefisit së të ndjerit.
“Shumë i dhimshëm lajmi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike e të riut, Altin Hyseni nga fshati Katunishtë. Ndaj dhimbjen me familjen Hyseni, farefisin, miqtë dhe gjithë ata që e njohën të ndjerin. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë! Zoti ju dhashtë durim ta tejkaloni dhimbjen!”, ka shkruar Bulliqi në një postim në “Facebook”.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për aksidentin tek rreth-rrotullimi në Lakrishtë të Prishtinës.
Si pasojë e këtij vetaksidenti, një veturë ka rënë nga ura poshtë në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.
Ndërkaq vozitësi dhe një pasagjere tjetër janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
“Rr. Ismet Krasniqi, Prishtinë 14.08.2023 – 03:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar veturën, dyshohet se nga pakujdesia ka humbur kontrollin mbi veturë, duke goditur rrethojat mbrojtëse në rreth-rrotullim, ku si pasojë ka rënë (nga ura) poshtë në shiritat qarkullues Prishtinë-Fushë Kosovë. Si pasojë, pasagjeri kosovar ka pësuar lëndime të rënda me ç’rast është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ku dhe ka ndërruar jetë. Lëndime trupore kanë pësuar edhe drejtuesi dhe pasagjerja femër kosovare. Në konsultim me prokurorin, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimijn e policisë.