14.9 C
Pristina
E premte, 20 Shtator, 2024

Dorëhiqet Armend Mehaj, Ejupi Maqedonci ministër i ri i mbrojtjes

Ejup Maqedonci është ministër i ri i Mbrojtjes, pas dorëheqjes së Armend Mehajt nga kjo pozitë.

Me kërkesë të Mehajt për, siç u tha, “arsye familjare”, kryeministri Albin Kurti e liroi atë nga detyra dhe e emëroi Maqedoncin.

“Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të Mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione të tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, ka shkruar Kurti.

Në një përgjigje për ATV-në Qeveria njoftoi se arsyet e dorëheqjes lidhen me shëndetin e bashkëshortes së Armend Mehajt.

Në njoftimin e tij, tashmë ish-ministri shkroi gjerë e gjatë për ato që i vlerëson punë të mira dhe suksese në mandatin e tij 870 ditësh, si dhe për synimin për anëtarësim në NATO.

“Në këtë pikë, dua ta falënderoj veçanërisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin, për besimin e plotë dhe mbështetjen e vazhdueshme që më ka dhënë nga dita a parë e deri sot. Jam i sigurt që Kryeministri Kurti duke e emëruar Ejup Maqedoncin në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, e ka zgjedhur njeriun e duhur për këtë detyrë: një person profesionist, patriot dhe të dëshmuar”, ka shkruar Mehaj.

Më 2021, ish-ushtaraku Mehaj u kthye nga Norvegjia për të marrë detyrën e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës.

Ministri i ri, Ejup Maqedonci, ka më shumë se 25 vjet në shërbim – fillimisht në UÇK, pastaj TMK dhe në FSK.

Më 1998, pas sulmit ndaj familjes Jashari në Prekaz, ai la Zvicrën dhe udhëtoi drejt Shqipërisë ku kreu stërvitjet para se t’i bashkohej Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës.

Ejup Maqedonci, i njohur ndryshe si “Uki”, ishte komandat i Batalionit të Parë të Brigadës 153 në Zonës Operative të Llapit.

Pas luftës ai shërbeu në Trupat Mbrojtëse të Kosovës – si komandat i Batalionit të Kërkim Shpëtimit.

Pas transformimit të TMK-së, nga viti 2009, ai vazhdoi shërbimin në FSK – duke udhëhequr Brigadën e Reagimit të Shpejtë dhe duke arritur deri në gradën e kolonelit.

Ai avancoi edukimin ushtarak në nivelin master dy kolegje në Amerikë: Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, si dhe në Kolegjin e Luftës.
Nga vitit 2021, ai shërbeu si oficer-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti – ndërsa më 2023 u nderua me “Medaljen e Karrierës”.

Ministri Maqedonci është 46 vjeç, është i martuar dhe ka tre fëmijë. /atvlive.tv

Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA