Qeveria e Kosovës sot ka shpallur zyrtarisht 14 Prillin si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Këtë vendim të Qeverisë e ka mirëpritur Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila së bashku me Zyrën e Presidentes dhe organizatat anëtare të Platformës “Bëhu Zëri Im”, do të organizojnë një marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në shënimin e kësaj Dite, QKRMT dhe organizatat anëtare të Platformës “Bëhu Zëri Im”, në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Republikes së Kosovës, me 14 Prill 2023 do të organizojë Marshin: Në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim, përcjell Reporteri.net.
QKRMT ka thënë se përmes zyrtarizimit të kësaj dite po njihen nga institucionet dhe nga shoqëria, dhimbja dhe vuajtjet e të mbijetuarve teksa shtoi se shënimi i kësaj ditë dokumenton të vërtetën dhe thirrjen e memories kolektive.
“Qysh në vitin 2019, QKRMT ka avokuar në vazhdimësi që 14 Prilli të njihet si Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës. Përmes zyrtarizimit të kësaj dite, dhimbja dhe vuajtjet e të mbijetuarve po njihen si nga institucionet njëashtu edhe nga mbarë shoqëria. Prandaj edhe shënimi i 14 Prillit si Ditë e të mbijetuarve, njëkohësisht shënon edhe njohjen simbolike, e cila është tejet e rëndësishme në integrimin e plotë të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës. Gjithashtu, shënimi i kësaj dite do të jetë moment i rëndësishëm në dokumentimin e të vërtetës dhe thirrjes së memories kolektive”, shkruan QKRMT.
Marshi do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi “Ibrahim Rugova”, për të vazhduar deri tek Monumenti Heroinat, ku do të prezantohet instalacioni “14 Prilli.”
14 prilli si datë zyrtare për Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë është propozuar nga Presidentja Vjosa Osmani në Qeveri.