Anita Behluli, 25 vjeçe, është nënë e pesë fëmijëve. Tre nga ata i ka në shkollë fillore, ndërsa dy të tjerë i ka në shtëpi. Njërin që pret këto ditë ta dërgojë në parashkollor dhe tjetrin rreth moshës dy vjeç.
Anita është pjesëtare e komunitetit ashkali në Ferizaj. Ajo e kishte ndërprerë shkollën në moshë shumë të re. Anita ishte martuar dhe ishte bërë nënë në moshë të mitur.
“Unë i kam pasur 21 vjet kur e kam çu djalin parashkollor, do me thanë të parin fëmijë dhe jam ndierë shumë e gëzueshme, se i pari fëmijë është gëzim shumë i madh kur e përgatitë me çanta me sende, kur te çon në shkollë, tani kur vjen, të tregon me gëzim, shumë jam ndierë e kënaqur”, rrëfen ajo.
Anita është nostalgjike për kohën e shkollë.
“Shumë mirë ndihna, e them t’isha kanë edhe unë njëherë kështu e me vazhdu si këta, amo prapë ndihem shumë e kënaqur me këta. Edhe kur vijnë te shpija, mi tregojnë notat, ndihem edhe më e kënaqur. Unë nonstop iu ndihmoj”, rrëfen ajo.
Anita është amvise që kujdeset për fëmijët dhe shtëpinë. Ajo për fëmijët e saj ka ëndrra të tjera nga ato që kishte për veti. Sot, ajo shkollimin e sheh si njërën nga vlerat kryesore.
“Të tretë i kam çu parashkollor, e kanë kryer. Është mirë, janë me nota të mira, nuk kam problem me ta”, tregon ajo.
Dokumentarin e plotë “Shkollimi si çelës për ndryshim në mes gjeneratave”, e gjeni në videon më poshtë: