Sipas statistikave, në muajin qershor në Kosovë kanë marrë pensionin bazik të moshës, mbi 148 mijë qytetarë.
Por një numër i konsiderueshëm i tyre, ani pse jetojnë jashtë vendit, përfitojnë edhe pensionin e pleqërisë në Kosovë.
Këtë keqpërdorim që vazhdon me vite, nuk pritet ta rregullojë as Ligji i ri për skemën pensionale, që tashmë është miratuar në Qeverinë e Kosovës.
Këtij projektligji i është shtuar vetëm një paragraf, përmes të cilit iu ndalohet qytetarëve që nuk janë rezidentë në Kosovë të marrin pensione, nëse nuk janë të pranishëm fizikisht në vend mbi 183 ditë brenda vitit.
Kjo praktikë e keqpërdorimit nuk po shihet se do të arrihet të zgjidhet vetëm përmes kësaj pike të ligjit.
“Duhet një kontroll më i mirë, në vitin 2015 janë larguar më shumë se 10 mijë veta bazuar në një udhëzim administrativ, janë larguar nga skema pensionale. Ky nen mundohet ta përkufizojë më mirë, por te implementimi duhet të gjendet një mënyrë që të identifikohet që në bazë të ligjit nuk i takon pensioni”, tha Selatin Kllokoqi nga organizata “D+”.
Për zbatimin e mëtejmë të kësaj dispozite, në projektligj thuhet se Ministria përgjegjëse mund të nxjerrë akt nënligjor.
Deputeti nga partia në pushtet, Eman Rrahmani, beson se më konkretisht zgjidhjen e kësaj do ta mundësojë njëra nga marrëveshjet ndërkombëtare tashmë të miratuara.
“Para rreth një muaji është kaluar një marrëveshje ndërkombëtare, e cila është financuar rreth 40 milionë euro për reformë në skemën pensionale dhe besoj që me ato reformë do të trajtohet secila problematikë. Edhe çështjen të cilën ju e ngritët, por edhe shumë çështje të tjera do të rregullohen përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, që parashihet edhe një konsulent që do të vijë nga jashtë për të ndihmuar në skemën pensionale”, tha deputeti i LV-së, Eman Rrahmani.
Ndërkohë, projektligji për skemën pensionale do të shqyrtohet në lexim të parë në Kuvend të premten. /atvkuve.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: