Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, vazhdojnë të jenë në fuqi edhe pas pajtueshmërisë mes Kosovës dhe BE-së në Bratislavë dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.
Që nga 3 qershori, qëndrimi i 27 shteteve anëtare të BE-së nuk ka ndryshuar, konfirmoi ambasadori Tomas Szunyog.
“Ka kushte dhe kërkesa të caktuara dhe ka edhe një deklaratë që thotë se do të ketë pasoja negative nëse ato lloj kërkesash dhe kushtesh nuk plotësohen. Pra, ne jemi ende të udhëhequr nga deklarata e 3 qershorit… Nuk ka asnjë sanksion… Por, nëse po mendoni për masat, qëndrimi ynë i konfirmuar nga shtetet anëtare i 3 qershorit, është ende i njëjtë”, tha Szunyog.
Por, kryeministri Albin Kurti pret që masat të hiqen sa më parë.
“Ne jemi duke u përgatitur që të kemi zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës. Ndërkaq, për këto masat që janë ndërmarrë ndaj neve e të cilat janë quajtur edhe të përkohshme, edhe të kthyeshme, natyrisht që presim që ato të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo do të ndodhë paraprakisht. Pra, nuk bëhet fjalë për kushtëzime, por bëhet fjalë për rendin logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit dhe Lajçakut për 3 qershorin”, tha Kurti.
Ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarët tha se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: