Veturën e shiti në 2003-tën. Por ajo i nxori problem 20 vjet pas, Fatmir Krasniqit nga Klina.
Për shkak se atë kohë, nuk e kishte larguar pronësinë mbi veturën e shitur, ai mezi arriti ta regjistrojë veturën e re.
“Unë kam shku në Pejë, sepse administrata e Klinës më ka thanë shko në Pejë. Kur kam shku atje, më kanë thanë se kjo veturë po figuron se është e shitur në Prizren, pastaj kam ardhur prapë në Klinë, mandej është dashur të pres edhe 3-4 ditë, derisa Prishtina e konfirmoi se është e shitur në Drenas dhe aty është gjetur pronari i saj edhe është shtyp në emrin tim”, tha Fatmir Krasniqi, qytetar.
Ani pse të njëjtën veturë e posedon tash e 4 vjet, ai thotë se nuk pati problem më herët, por këto vështirësi i erdhën me vendimin e fundit të Agjencisë së Regjistrimit Civil, që specifikon se kushdo që ka në pronësi një veturë të paregjistruar, të mos mund ta regjistrojë një tjetër, pa e shpronësuar të vjetrën.
“Për çdo vit d.m.th. e kam regjistruar të njëjtën veturë, që 4 vjet, edhe d.m.th. ajo veturë për 5 minuta është regjistruar në Klinë”, tha Fatmir Krasniqi, qytetar.
Të njëjtin telash e pati edhe Mustafë Hoti, që nuk mundi ta regjistrojë veturën e re, derisa e largoi pronësinë nga ajo e vjetra.
“I kam pasur dy vetura të regjistruara, por njërës i ka dalë regjistrimi dhe s’e kam përsëritur më regjistrimin dhe tash e kanë pru një rregullore që duhet me i dorëzu tabelat e asaj veture që s’është e regjistruar, përndryshe veturën tjetër s’mund ta regjistrosh”, tha Mustafë Hoti, qytetar.
Por, krejt kjo është bërë me qëllim që të zvogëlohet numri i veturave që nuk kanë pronarë, pasi që vlerësohet se sjellin dëme të shumta.
“Gjatë shfrytëzimit të dy veturave, ti po i ikën taksave, në anën tjetër kur shkakton aksident te fondi i kompensimeve te BSK-ja po ka ngarkesa për kompanitë e sigurimeve, dhe në përgjithësi ka edhe raste të kryerjes së veprave penale kur një veturë përdoret për qëllime tjera, tash ka raste ndoshta kur dikush ia shet veturën por nuk e di për çfarë qëllimi e ka”, tha Sami Mazreku nga Byroja Kosovare e Sigurimit.
Nuk dihet numri i qytetarëve që kanë probleme të tilla, por brenda vitit, llogaritet që rreth 100 mijë veturave iu ndërrohet pronësia. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:





