Janë bërë 130 ditë nga dakordimi për shtojcën e Ohrit, mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Teksti i aneksit parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën.
Por, në një përgjigje për ATV-në, Bashkimi Evropian ka konfirmuar se aktualisht, nuk është në plan organizimi i një konference të tillë.
“Është e rëndësishme të kujtojmë se marrëveshja lidh konferencën e donatorëve me progresin në implementimin e marrëveshjes dhe aneksit të saj. Për fat të keq, koha e synuar është penguar nga përshkallëzimi i fundit. Fokusi tani është në shpërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në terren dhe të vazhdohet implementimi i marrëveshjeve të dialogut”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Me mosorganizimin e konferencës së donatorëve, vlerësohet se Kosova është pala që humbi më shumë.
“Fatkeqësisht Kosova e ka një ekonomi më të dobët ka më shumë nevojë për donacione dhe projekte nga shtetet mike të Bashkimit Evropian, projektet e USAID-it e kështu me radhë”, tha Fitim Mulolli nga “Polcon”.
Sipas Fitim Mulollit, dy liderët, ai kosovar e ai serb, qëllimshëm po e zvarrisin zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksin e Ohrit.
“Si presidenti i Serbisë ashtu edhe kryeministri i Kosovës nuk po e duan këtë marrëveshje dhe po kërkojnë arsyetime të vazhdueshme, për ta shtyrë zbatimin e saj”, tha Mulolli.
Për vazhdimin e diskutimeve apo finalizimin eventual të planit të sekuencimit, i domosdoshëm për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes Bazë dhe Shtojcës, do të nevojitet një takim i nivelit të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky takim nuk pritet të mbahet para pushimeve verore. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:





