“Festo me zemër e jo me armë”, është motoja e fushatës së përvitshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që synon të parandalojë përdorimin e armëve nëpër ahengje e festa.
Kësaj radhe ishin mërgimtarët në pikën kufitare në Merdare që iu transmetua thirrja se përdorimi i armës për festime është vepër penale.
“Arsyeja janë shtimi i ahengjeve, shtimi i popullsisë, pra ardhja e mërgatës, e me këtë shtim edhe shtimi i të shtënave. Mendojmë se institucionet mund të arrijnë ndalimin e shtënies së armëve. Policia e Kosovës vazhdimisht punon në këtë drejtim, por e vetme nuk mund të arrijë të ndalojë këtë fenomen”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani.
Për shkak të shtimit të ahengjeve gjatë muajve të verës, u tha se Policia do të jetë më aktive në terren, në mënyrë që të parandalojë ndonjë tragjedi.
“Jemi këtu sot për të përçuar porosinë për parandalimin e të shtënave festive, qëllimi ynë është të parandalohen këto të shtëna, se të shtënat janë vepër penale dhe dënohet me ligj”, tha menaxher i Projektit për Siguri në Kosovë Në UNDP, Mentor Cakolli.
Ndonëse të lodhur nga rruga e gjatë, mërgimtarët nuk hezituan të ndalen për të mësuar më shumë rreth fushatës.
Ndërkaq, zhvillimin e këtij aktiviteti e lehtësonte atmosfera e qetë në pikën e kalimit kufitar në Merdar.
Çdo vit në Kosovë plagosen dhe vriten fëmijë, gra e burra nga të shtënat nëpër festa. Muaj më parë u plagos një vajzë 15-vjeçare dhe dy meshkuj nga plumba qorr, ndërsa 76 persona të tjerë u plagosën nga mjetet piroteknike. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: