E ardhmja e Cristiano Ronaldos me Kombëtaren e Portugalisë është vënë seriozisht në pikëpyetje pas përplasjes së fundit me përzgjedhësin Jorge Jesus.
Sipas gazetarit portugez Rui Santos, sulmuesi 41-vjeçar mund të mos rikthehet më te Portugalia për sa kohë që Jesus vazhdon të jetë në krye të përfaqësueses.
Përplasja mes tyre ndodhi gjatë grumbullimit të fundit, kur Ronaldo u largua nga ekipi në mes të pushimit ndërkombëtar. Shkak raportohet të ketë qenë vendimi i Jesusit për ta lënë yllin portugez jashtë formacionit në ndeshjen ndaj Norvegjisë.
Trajneri nuk u tërhoq nga vendimi i tij as pas përfundimit të takimit, duke theksuar se në Kombëtare të gjithë lojtarët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se askush nuk mund të ketë privilegje të veçanta.
Në ditët pas incidentit, situata mes dy palëve dukej se ishte qetësuar. Madje, Jorge Jesus e kishte konsideruar përplasjen si një çështje të kaluar dhe kishte lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Ronaldos në grumbullimin e ardhshëm.
Megjithatë, gazetari Rui Santos sjell një version tjetër të situatës. Sipas tij, marrëdhënia mes Ronaldos dhe Jesusit është dëmtuar ndjeshëm dhe situata është shumë më serioze nga sa është paraqitur në publik.
Santos pretendon se Ronaldo nuk është i kënaqur me deklaratat e fundit të Jesusit në konferencën për shtyp dhe se raporti mes dy figurave kryesore të Portugalisë tashmë ka arritur në një pikë kritike.
Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, atëherë Ronaldo mund të mos rikthehet në Kombëtare për aq kohë sa Jorge Jesus qëndron në postin e përzgjedhësit.
Një zhvillim i tillë do të ishte një kthesë e madhe për Portugalinë, sidomos duke pasur parasysh peshën që Ronaldo ka pasur për vite me radhë në përfaqësuesen portugeze.





