Dardan Cena ndalet në luftën e tretë, por shkëlqen në Botërorin e Bakut

Dardan Cena e ka përmbyllur aventurën në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit, duke u ndalur në luftën e tretë, por me një paraqitje që i jep shumë arsye për të qenë krenar.

23-vjeçari kosovar, i cili garon në kategorinë deri në 73 kilogramë, e nisi ditën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në duelin e parë, Cena mposhti irlandezin Joshua Green me uazari, duke siguruar kalimin në raundin tjetër.

Por sfida e dytë ishte edhe më e veçantë. Përballë tij ishte një prej emrave më të mëdhenj të kësaj kategorie, kampioni olimpik dhe botëror, Lasha Shavdatuashvili.

Cena zhvilloi një luftë të jashtëzakonshme ndaj gjeorgjianit, me duelin që zgjati më shumë se tetë minuta dhe u vendos në “Golden Score”. Pas një beteje të gjatë dhe intensive, kosovari arriti ta fitojë përballjen pasi Shavdatuashvili mori shidoun e tretë.

Eliminimi i një xhudisti me një CV të tillë ishte padyshim momenti kulmor i ditës për Cenën dhe një prej fitoreve më të rëndësishme të karrierës së tij.

Megjithatë, rrugëtimi i kosovarit në Baku përfundoi në luftën e tretë. Kundërshtari i tij ishte italiani Leonardo Valeriani, i cili e nisi më mirë përballjen dhe arriti të marrë avantazhin me uazari.

Cena u përpoq të reagonte dhe të gjente hapësirën për ta rikthyer duelin, por Valeriani arriti ta kontrollonte situatën dhe në fund e mbylli përballjen me një mbërthim për ippon.

Edhe pse nuk arriti të siguronte një tjetër fitore, paraqitja e Cenës në Baku mbetet një rezultat i rëndësishëm. Në një kategori me 50 garues, kosovari arriti të kalojë dy raunde dhe, mbi të gjitha, të eliminojë një nga xhudistët më të dekoruar të skenës ndërkombëtare.

Kampionati Botëror në Baku po zhvillohet nga 4 deri më 10 tetor, me pjesëmarrjen e 622 xhudistëve nga 93 shtete. Kategoria deri në 73 kilogramë ishte ndër më të fortat dhe më të ngjeshurat e këtij Botërori.

Cena largohet nga Baku me dy fitore, një triumf të madh ndaj një kampioni dhe një paraqitje që tregon se e ardhmja e tij në skenën e madhe të xhudos premton shumë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA