Prishtina sonte bëhet epiqendra e futbollit, teksa Kosova pret Austrinë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij cikli në Ligën e Kombeve.
Përballja në stadiumin “Fadil Vokrri” nis në orën 18:00, ndërsa pritet që tribunat të jenë të mbushura me tifozë kosovarë, të cilët do të kërkojnë ta shtyjnë skuadrën drejt një rezultati pozitiv.
Kosova vjen në këtë sfidë pas barazimit pa gola ndaj Izraelit. Më herët, “Dardanët” e nisën ciklin me fitore 1-0 ndaj Irlandës, ndërsa pësuan humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë.
Me katër pikë, Kosova synon të afrohet me kreun e grupit, ku aktualisht gjendet Austria me shtatë pikë. Një fitore sonte do t’i jepte skuadrës së Franco Fodës një shtysë të madhe në garën për pozitën e parë.
Në anën tjetër, Austria e drejtuar nga Ralf Rangnick vjen në Prishtinë me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për të marrë një tjetër rezultat të rëndësishëm në grup.
Për Kosovën, kjo është edhe një mundësi për të reaguar pas humbjes në Vjenë. Faktori vendas dhe mbështetja e tifozëve pritet të jenë ndër armët kryesore të “Dardanëve” në këtë duel.





