Tuchel jep sinjalin e madh për Bellinghamin: Mund të bëhet kapiten i Anglisë

Jude Bellingham mund të jetë një nga emrat që do të udhëheqë Anglinë në vitet e ardhshme, me trajnerin Thomas Tuchel që ka lënë të hapur mundësinë që ylli i Real Madridit të marrë përgjithmonë shiritin e kapitenit të “Tre Luanëve”.

Në fitoren 2-0 ndaj Çekisë në Ligën e Kombeve, Bellingham u aktivizua në minutën e 71-të në vend të Harry Kane dhe, sapo hyri në fushë, mori edhe shiritin e kapitenit nga sulmuesi anglez.

E njëjta skenë ishte përsëritur edhe në fund të humbjes ndaj Spanjës, ku Kane ia kishte dorëzuar shiritin Bellinghamit.

Tuchel nuk e fshehu se ky veprim mund të jetë një tregues për të ardhmen.

“Kur je kapiten në fund të këtyre ndeshjeve, atëherë sigurisht që mund të jesh kapiteni i përhershëm”, deklaroi trajneri i Anglisë.

Gjermani tregoi gjithashtu se kishte zhvilluar një bisedë me Bellinghamin rreth rolit të tij në skuadër, duke vlerësuar veçanërisht gatishmërinë e mesfushorit për të qenë pjesë e ekipit edhe kur nuk është në formacionin startues.

“Mendoj se ai e pëlqen të jetë me ne për momentin, të paktën kështu e ndiej. Sot patëm një bisedë të shkurtër për rolin e tij. Të dy kishim ndjesinë se donim të vazhdonim dhe të nisnim përsëri, por më pas menduam se ndoshta 30 minuta ishin të mjaftueshme për sot”, tha Tuchel.

Trajneri gjerman shpjegoi se vendimi për ta aktivizuar Bellinghamin vetëm për pak minuta lidhej edhe me ngarkesën fizike të lojtarit, pasi ai nuk ka qenë i mësuar me një ritëm të tillë ndeshjesh gjatë këtij sezoni.

“Ai e ka bërë këtë më parë, por jo gjatë këtij sezoni, ndaj nuk donim të ishim të parët që do ta provonim. Megjithatë, edhe në këtë paraqitje të shkurtër mund ta shihni se ai është i sigurt në vete dhe i lumtur që të ndihmojë ekipin edhe nga banka”, shtoi Tuchel.

Sa i përket shiritit të kapitenit, Tuchel e cilësoi këtë si një moment të veçantë për Bellinghamin.

“Po, është një shpërblim t’i japësh shiritin e kapitenit. Është diçka e mirë”, u shpreh ai.

Megjithatë, në fund të ndeshjes pati edhe një moment shqetësues. Tuchel zbuloi se Bellingham ndjeu një shqetësim fizik dhe tani mbetet për t’u parë nëse do të jetë në gjendje të luajë në sfidën e ardhshme.

“Ai pati një shqetësim të vogël në fund të ndeshjes. Shpresojmë që të mos jetë asgjë serioze dhe që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Kroacisë”, përfundoi trajneri i Anglisë.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA