Lamine Yamal po vazhdon të mahnitë me paraqitjet e tij dhe tashmë po lë gjurmë edhe në historinë e kombëtares së Spanjës.
Sulmuesi i Barcelonës ishte protagonist absolut në fitoren e thellë 4-1 të Spanjës ndaj Kroacisë, të martën mbrëma në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan”, në kuadër të Grupit 3 të Ligës A në Ligën e Kombeve.
Yamal realizoi dy gola dhe dhuroi një asistim, duke qenë vendimtar në triumfin e “La Roja”-s dhe duke regjistruar disa statistika të jashtëzakonshme.
Sipas “Stats du Foot”, kjo ishte hera e parë që Yamal arrin të shënojë dhe asistojë në të njëjtën ndeshje me fanellën e kombëtares spanjolle.
Por rekordi më i veçantë erdhi nga të dhënat e “Mister Chip”. Yamal u bë lojtari më i ri në historinë e Spanjës që realizon të paktën dy gola dhe regjistron një asistim në një ndeshje të vetme.
Ai e arriti këtë në moshën 19 vjeç e 78 ditë, duke lënë pas legjendën e Spanjës, Raul, i cili e kishte realizuar një statistikë të tillë në moshën 21 vjeç e 273 ditë.
Yamal po ashtu hyri në historinë e futbollit evropian duke u bërë lojtari më i ri që arrin në kuotën e 10 golave me kombëtaren A që nga danezi Harald Nielsen. Ky i fundit kishte arritur një shifër të tillë më 26 gusht 1960, në moshën 18 vjeç e 10 muaj.
Forma e jashtëzakonshme e talentit të Barcelonës nuk kufizohet vetëm te paraqitjet me Spanjën. Sipas “Stats du Foot”, Yamal ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 18 gola në tetë ndeshjet e fundit me klubin dhe kombëtaren, duke regjistruar 11 gola dhe shtatë asistime.
Me katër kontribute direkte në gola, Yamal kryeson gjithashtu listën e lojtarëve me më shumë përfshirje në gola në Ligën e Kombeve deri më tani.
Në një moshë ende shumë të re, Yamal po vazhdon të vendosë rekorde njëri pas tjetrit dhe po shndërrohet në një prej figurave kryesore të Spanjës.





