Montella pas humbjes së rëndë ndaj Italisë: Nuk e kam menduar dorëheqjen

Turqia pësoi një tjetër goditje të rëndë në Ligën e Kombeve, duke regjistruar humbjen e dytë radhazi. Pas disfatës ndaj Francës, skuadra e drejtuar nga Vincenzo Montella u mposht thellë 4-1 nga Italia në Bursa.

Rezultati shkaktoi zhgënjim të madh te tifozët vendas, të cilët gjatë takimit shprehën hapur pakënaqësinë e tyre dhe kërkuan largimin e përzgjedhësit italian.

Megjithatë, pas ndeshjes, Montella bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga posti.

I pyetur nëse e ka menduar dorëheqjen, trajneri italian u përgjigj:

“Jo, besoj te puna që kam bërë. Nuk u largova edhe pse mora oferta të rëndësishme. Vazhdoj të besoj te futbollistët tanë dhe jam me ta. Do të dimë si të vazhdojmë nga këtu”.

Montella shtoi se një largim i mundshëm nuk është aktualisht pjesë e diskutimeve brenda ekipit.

“Për sa i përket dorëheqjes, nëse do të ketë një temë diskutimi për këtë, do të flas me lojtarët e mi, por aktualisht nuk e kemi në agjendë”.

Duke analizuar paraqitjen e Turqisë, Montella pranoi se skuadra e tij nuk arriti të përballonte ritmin e ndeshjes në të njëjtën mënyrë si kundërshtari.

“Nuk mundëm të kishim të njëjtën qasje në ndeshje si kundërshtarët. Si kombëtare, nuk jemi mësuar të luajmë çdo tri ditë në këtë nivel. Kjo më trishton”, deklaroi ai.

Trajneri italian theksoi se skuadra tentoi të reagonte pas golit të tretë të pësuar.

“Pas rezultatit 3-1 e nisëm më mirë dhe një nga golat tanë u anulua”.

“E meritonim të fërshëlleheshim”

Montella foli edhe për reagimin e tifozëve në stadium, duke pranuar se skuadra nuk dha atë që pritej, veçanërisht në 45 minutat e para.

“E meritonim të fërshëlleheshim në pjesën e parë. U përmirësuam në pjesën e dytë, por nuk jemi mësuar të luajmë çdo tri ditë në nivele të tilla”.

Pavarësisht humbjes së thellë dhe presionit të tifozëve, Montella kërkoi që skuadra të mos humbasë besimin.

“U përpoqëm të ruanim qetësinë dhe të motivonim lojtarët teksa analizonim ndeshjen. Në përgjithësi, do të marrim mësime nga kjo ndeshje, por nuk duhet ta humbasim vetëbesimin”.

“Kemi ardhur deri këtu dhe do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrën më të mirë në fushën e lojës”, përfundoi Montella.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA