Vesel Demaku rrëfen pse zgjodhi Kosovën: “Ishte shumë më tepër se futboll”

Vesel Demaku ka lindur dhe është rritur në Austri, por kur erdhi momenti për të zgjedhur kombëtaren që do ta përfaqësonte, mesfushori vendosi të refuzojë Austrinë dhe të veshë fanellën e Kosovës.

Në një intervistë për mediumin austriak “Der Standard”, Demaku ka rrëfyer për rëndësinë që kishte kjo zgjedhje për të, duke theksuar se nuk bëhej fjalë vetëm për futboll, por edhe për historinë e familjes dhe identitetin e tij.

“Absolutisht. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit, kupton se është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare. Është shumë më tepër sesa thjesht sport”, ka thënë Demaku.

Mesfushori ka treguar edhe historinë e gjyshit të tij, Veselit, emrin e të cilit e mban. Ai humbi jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës dhe për Demakun, mundësia për ta përfaqësuar Kosovën 25 vjet më vonë kishte një domethënie të veçantë.

“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar ai.

Demaku ka theksuar se, pavarësisht zgjedhjes së Kosovës, ai vazhdon ta ketë një lidhje të fortë me Austrinë, vendin ku është lindur dhe rritur.

“E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, është shprehur ai.

Me kalimin e viteve, teksa kuptoi më shumë për historinë e Kosovës dhe u angazhua më shumë me historinë dhe politikën, vendimi i tij për të përfaqësuar “Dardanët” u bë gjithnjë e më i qartë.

“Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë, atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100 për qind”, ka rrëfyer futbollisti.

Zgjedhja e tij solli edhe reagime negative në Austri, për të cilat Demaku thotë se ishte i përgatitur. Megjithatë, ai pranon se ishte i lënduar nga mënyra se si u portretizua.

“Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka thënë Demaku.

Për të, fanella e Kosovës ka një peshë që shkon përtej futbollit. Ai ka përshkruar emocionet e veçanta të debutimit, himnit dhe atmosferës para ndeshjeve të Kosovës.

“Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund ta bësh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka treguar ai.

Demaku ka folur edhe për atmosferën që krijohet në Kosovë gjatë ndeshjeve të rëndësishme, duke theksuar se ëndrra e tij dhe e bashkëlojtarëve është që një ditë ta dërgojnë Kosovën në një Kampionat Evropian ose Kupë Bote.

“Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA