Gjithçka është gati për përballjen e shumëpritur mes Kosovës dhe Irlandës. “Dardanët” kanë zhvilluar sot në orët e paradites stërvitjen e fundit para ndeshjes së Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Seanca e fundit përgatitore është zhvilluar me intensitet të kontrolluar, pasi fokusi nuk ishte te ngarkesa fizike, por te detajet taktike që mund të jenë vendimtare në duelin e mbrëmjes.
Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar minutat e fundit në fushë për t’ua përcjellë futbollistëve udhëzimet përfundimtare dhe për të punuar në skemat që Kosova pritet t’i aplikojë ndaj përfaqësueses irlandeze.
Me përfundimin e kësaj seance, përgatitjet kanë hyrë zyrtarisht në fazën finale. Tani nuk ka më kohë për eksperimente – vëmendja e të gjithëve është te ndeshja dhe te atmosfera që pritet të krijohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova do ta nisë sonte një tjetër sfidë në Ligën e Kombeve, këtë herë ndaj Irlandës, në kuadër të Grupit B3.
Takimi zhvillohet në Prishtinë dhe nis nga ora 20:45, ndërsa “Dardanët” synojnë ta shfrytëzojnë avantazhin e fushës dhe përkrahjen e tifozëve për ta nisur me rezultat pozitiv këtë kampanjë.
Topi tashmë është gati. “Fadil Vokrri” po pret dhe gjithçka do të vendoset në fushë.





