Kombëtarja A e Kosovës në hendboll për femra ka nisur përgatitjet për sfidat e ardhshme ndërkombëtare. “Dardanet” janë grumbulluar të mërkurën për kampin përgatitor, ndërsa stërvitja e parë është zhvilluar në mbrëmje në palestrën sportive në Lipjan.
Seanca e parë është drejtuar nga përzgjedhësi i ri, Nenad Shoshtariq, i cili për herë të parë ka pasur në dispozicion grupin e plotë të lojtareve më të mira të Kombëtares A.
Në stërvitjen e parë, fokusi ishte te përgatitja dhe puna në elemente të ndryshme të lojës, ndërsa trajneri Shoshtariq ka nisur gradualisht të zbatojë idetë dhe sistemin që synon ta aplikojë me përfaqësuesen e Kosovës.
Atmosfera gjatë seancës së parë ishte pozitive dhe puna u zhvillua me intensitet të mirë. Lojtaret iu përgjigjën kërkesave të përzgjedhësit, duke dhënë maksimumin në këtë fazë të parë të përgatitjeve.
Kampi do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Të enjten janë të planifikuara dy seanca stërvitore, ndërsa grumbullimi do të zgjasë deri në fundjavë.
Përfaqësuesja e Kosovës po përgatitet për një sfidë të rëndësishme që e pret muajin e ardhshëm. “Dardanet” do të përballen me Estoninë në dy ndeshje, në kuadër të raundit të parë kualifikues për Kampionatin Botëror të vitit 2027.
Këto përballje do të jenë ndër testet e para të rëndësishme për Shoshtariqin në krye të Kombëtares së Kosovës dhe një mundësi për ekipin që të tregojë rezultatet e punës së nisur gjatë këtij kampi.





