Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin për kërkesat e PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.
Kushtetuesja ka konstatuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën. Po ashtu, Gjykata ka përcaktuar se afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor.
Gjykata ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, por ka thënë se kalimi i 30-ditëshit për konstituim ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë.
“Të konstatojë që Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit tridhjetë (30) ditor, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Të konstatojë që kalimi i afatit tridhjetë (30) ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 66 [zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka për pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, kur posti i presidentit është vakant dhe për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës sipas neneve 86 [zgjedhja e Presidentit], 95 [zgjedhja e Qeverisë] dhe nënparagrafëve 1 dhe 3, paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata ka kërkuar gjithashtu që deputetët të zgjedhin sa më shpejt nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar.
“iv. të konstatojë që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me paragrafin 3 të nenit 67 [zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”
Sa i përket qeverisë së zgjedhur më 13 shtator, gjykata ka konstatuar se vendimi për zgjedhjen e saj nuk është në kundërshtim me nenin 95 të kushtetutës.
“v. të konstatojë që vendimi [nr. 11-v-007] i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 [zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;”
Në vendim përcaktohet edhe afati për zgjedhjen e presidentit. Sipas gjykatës, afati 60-ditor ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
“vi. të konstatojë që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026;”
Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme dhe ka urdhëruar komunikimin e aktgjykimit me palët dhe publikimin e tij në gazetën zyrtare.
Në fund, gjykata ka përcaktuar se aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.
“x. të konstatojë që ky aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.”/Telegrafi/





