Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë të qartë se objektivi i “Dardanëve” në ndeshjet e ardhshme është të kërkojnë fitoren në çdo përballje.
Në konferencën për media, trajneri gjerman pranoi se Kosova do të ketë disa mungesa të rëndësishme, si pasojë e lëndimeve dhe tërheqjes së disa futbollistëve, por vlerësoi pozitivisht prurjet e reja në ekip.
“Mezi presim t’i luajmë këto katër ndeshje. Këto ditë do të përgatitemi sidomos për ndeshjen ndaj Irlandës. Duam ta fitojmë secilën ndeshje, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë”, tha Foda.
Ai theksoi se mungesat nuk duhet të ndikojnë në ambiciet e skuadrës, pasi në dispozicion ka një grup prej 27 futbollistësh, tek të cilët ka besim të plotë.
“Na mungojnë disa lojtarë me përvojë dhe të rëndësishëm. Rexhbeçaj dhe Muslija nuk janë me ne për shkak të lëndimeve, ndërsa disa lojtarë të tjerë janë tërhequr. Por kemi ftuar futbollistë të rinj dhe besoj në të gjithë grupin”.
Foda pret që futbollistët e rinj të sjellin energji dhe konkurrencë në skuadër, ndërsa avantazh e sheh edhe faktin që Kosova do të luajë para tifozëve të saj.
“Kemi një ekip të mirë dhe të uritur për fitore. Është e rëndësishme të luajmë me intensitet të lartë. Gjithashtu kemi përparësinë se luajmë në shtëpi dhe shpresojmë ta fitojmë ndeshjen”.
Përzgjedhësi gjerman tha se ditët në vijim do të shfrytëzohen për të analizuar gjendjen e lojtarëve dhe për të përcaktuar formacionin më të përshtatshëm.
Kosova ndeshjen e parë në këtë cikël do ta zhvillojë të enjten, në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndaj Irlandës.





