Kombëtarja e Kosovës mund të përballet me një mungesë të rëndësishme në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, pasi mesfushori Elvis Rexhbeçaj ka pësuar lëndim.
Futbollisti prizrenas u dëmtua të premten, pa pasur kontakt me ndonjë lojtar kundërshtar. Ai pritet t’i nënshtrohet testeve të tjera mjekësore për të përcaktuar shkallën e saktë të lëndimit dhe kohën e rikuperimit.
Sipas mediumit gjerman “Liga-Zwei”, aktualisht nuk dihet se sa gjatë do të jetë Rexhbeçaj jashtë fushave. Megjithatë, në klub ekziston optimizmi se gjendja e tij mund të përmirësohet.
“Rexhbeçaj ka pësuar lëndim në këmbë të premten, pa kontakt me ndonjë lojtar tjetër. Ai mund të mungojë për një periudhë të gjatë. Testet e para nuk kanë dhënë rezultate përfundimtare, ndaj të hënën do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera, të cilat do të përcillen nga afër”, raporton mediumi gjerman.
Po ashtu, “Liga-Zwei” thekson se ende ekziston shpresa që situata të përmirësohet, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të mungojë edhe në ndeshjen e radhës ndaj Darmstadtit.
Rexhbeçaj ka qenë një nga lojtarët më në formë të Wolfsburgut që prej rikthimit te klubi ku u rrit. Ai ka qenë titullar në pesë ndeshjet e fundit të skuadrës në Bundesliga 2.
Nëse lëndimi rezulton të jetë serioz, kjo do të ishte një goditje për Kosovën, e cila në shtator nis aventurën në Ligën e Kombeve. “Dardanët” ndeshjen e parë do ta zhvillojnë më 24 shtator ndaj Irlandës.





