Superliga e Kosovës rikthehet këtë të hënë me dy përballje interesante, të vlefshme për xhiron e gjashtë të kampionatit.
Në Suharekë, Ballkani do të ketë përballë Dukagjinin, në një duel që pritet të sjellë rivalitet dhe emocione deri në fund.
Skuadra nga Thëranda do të kërkojë rikthimin te rezultatet pozitive, ndërsa Dukagjini vjen me një seri të mirë pas vetes. Klinasit nuk njohin humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe synojnë ta vazhdojnë këtë ecuri edhe në transfertën ndaj Ballkanit.
Një tjetër përballje interesante do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ku Llapi do ta presë Malishevën.
Llapi më në fund e shijoi fitoren e parë në kampionat në xhiron e kaluar ndaj Vushtrrisë dhe tani synon të ndërtojë një seri pozitive. Në anën tjetër, Malisheva do të kërkojë reagim pas humbjes së fundit, me synimin për të shmangur një tjetër rezultat negativ radhazi.
Të dyja ndeshjet janë në program të zhvillohen nga ora 16:00.





