Jose Mourinho duket se ka identifikuar problemin kryesor të Real Madridit pas fitores së vështirë ndaj Interit në Ligën e Kampionëve. Trajneri portugez kërkon më shumë kontroll në mesfushë dhe zgjidhjen e sheh te Bernardo Silva.
Sipas “Marca”, Mourinho dëshiron të nxjerrë versionin më të mirë të mesfushorit portugez, i cili deri tani nuk ka arritur të ketë ndikimin e pritur te “Los Blancos”.
Real Madridi e vuajti ndjeshëm mungesën e Bernardo Silvas ndaj Interit, pasi portugezi ishte i suspenduar. Në një ndeshje që u zhvillua me ritëm të lartë dhe shumë hapësira, madrilenët patën vështirësi për ta kontrolluar lojën.
Pikërisht për këtë arsye, Mourinho beson se Bernardo mund të jetë një nga çelësat për ta zgjidhur problemin.
32-vjeçari iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City, por deri tani nuk është shndërruar në një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.
Megjithatë, Mourinho nuk dëshiron të kërkojë domosdoshmërisht një zgjidhje të re në merkato. Trajneri portugez beson se e ka atë brenda skuadrës.
Real Madridi dështoi të transferonte Rodrin gjatë verës dhe tashmë përgjegjësia mund t’i besohet më shumë Bernardo Silvas.
Përvoja, qetësia me topin dhe aftësia për ta mbajtur posedimin janë cilësi që Mourinho i konsideron të rëndësishme për një skuadër që synon të dominojë ndeshjet e mëdha.
Kështu, sfida e radhës për Bernardo Silvan është të bindë Mourinhon se mund të jetë lideri që i mungon mesfushës së Real Madridit.





