Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, feston sot ditëlindjen e tij të 65-të.
Obama hyri në histori si presidenti i 44-t i ShBA-së dhe presidenti i parë afrikano-amerikan i vendit, duke shërbyer për dy mandate nga viti 2009 deri në vitin 2017.
Gjatë presidencës së tij, ai u përball me krizën financiare globale, miratoi reformën e kujdesit shëndetësor të njohur si “Obamacare” dhe luajti një rol të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare.
Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Obama ka vazhduar të jetë aktiv në jetën publike përmes Obama Foundation, organizatë që promovon zhvillimin e liderëve të rinj, angazhimin qytetar dhe projekte të ndryshme filantropike në mbarë botën.
Ai gjithashtu ka botuar librin autobiografik A Promised Land, ndërsa së bashku me bashkëshorten e tij, Michelle Obama, vazhdon të mbështesë iniciativa në fushën e arsimit, demokracisë dhe barazisë sociale.





