Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës ka miratuar propozimin për ndarjen e parcelës kadastrale ku do të ndërtohet Stadiumi i ri i Atletikës, një projekt i rëndësishëm për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Stadiumi modern do të ndërtohet në fshatin Miradi e Poshtme dhe pritet të krijojë kushte bashkëkohore për stërvitje dhe gara, duke u bërë shtëpia e re e atletëve kosovarë dhe një qendër për zhvillimin e talenteve të rinj.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Fushë Kosovës, Ylber Kelmendi, e ka cilësuar këtë si një lajm shumë të rëndësishëm për atletikën dhe sportin në përgjithësi.
“Sot, në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës, u votua me sukses propozimi për ndarjen e parcelës kadastrale për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës. Ky projekt madhor do të shërbejë si një qendër moderne dhe shtëpi e re për atletët tanë, duke krijuar kushte për zhvillimin e talentit dhe arritjen e sukseseve të reja në arenën kombëtare e ndërkombëtare”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij hapi të rëndësishëm.
“Shprehim një falënderim të veçantë për Kryetarin e Komunës, Valon Prebreza, dhe Kryetarin e Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, për angazhimin e tyre të pandalshëm dhe insistimin që ky investim strategjik të realizohet pikërisht në komunën tonë. Faleminderit edhe të gjithë asamblistëve që votuan pro”, ka përfunduar ai.





