Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka prezantuar 10 dizajnet përfundimtare që do të garojnë për pamjen e re të kartëmonedhave euro, duke përfshirë figura të njohura historike si Leonardo da Vinci, Marie Curie, Maria Callas dhe Ludwig van Beethoven, si dhe temën alternative “Lumenjtë dhe zogjtë”.
Dizajnet u prezantuan në një ceremoni në Frankfurt, ku morën pjesë presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, dhe anëtari i bordit ekzekutiv, Piero Cipollone. Ato u përzgjodhën nga rreth 1.200 propozime të paraqitura gjatë muajve të fundit.
Njëzet e pesë vjet pas futjes në qarkullim të euros, kartëmonedhat pritet të marrin një identitet të ri vizual, duke lënë pas dizajnin aktual me ura dhe elemente arkitekturore të përgjithshme, të zgjedhur fillimisht për të shmangur favorizimin e ndonjë shteti të veçantë.
Në dizajnet e reja, përveç motiveve të natyrës, janë përfshirë edhe figura të shquara të historisë evropiane, të cilat konsiderohen pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore të kontinentit.
Procesi për ridizajnimin e kartëmonedhave, i nisur në vitin 2021, tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. Nga sot deri më 21 shtator, qytetarët e vendeve të eurozonës mund të votojnë për dizajnin e preferuar përmes një ankete të hapur në faqen zyrtare të BQE-së.
Vendimi përfundimtar do të merret nga Bordi i Guvernatorëve të BQE-së brenda këtij viti. Më pas do të nisë faza teknike e zhvillimit dhe testimit të kartëmonedhave të reja, të cilat do të pajisen me teknologji të avancuara kundër falsifikimit.
Kartëmonedhat e reja me prerje 5, 10, 20, 50 dhe 200 euro do të ruajnë ngjyrat tradicionale, por do të paraqesin portrete të stilizuara të personaliteteve të njohura evropiane, duke i dhënë euros një identitet të ri vizual që pasqyron historinë, kulturën dhe diversitetin e Evropës.





