Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall.
Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe shmangien e ngarkesave në trafik.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas të përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe kolonat.
Po ashtu, për vizitorët e koncertit janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, me linjë nga Prishtina drejt Prishtina Mall dhe në drejtimin e kundërt.
Sipas planit të menaxhimit të trafikut, për automjetet që lëvizin nga Prishtina drejt Prishtina Mall, pas rrethit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
Ndërsa, automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt do të kenë qasje në Prishtina Mall përmes rrugicës në anën e djathtë, para se të arrijnë te rrethi i qendrës tregtare, ndërsa në këtë drejtim do të vendosen kona në shiritin e djathtë të qarkullimit.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së trafikut.





