Hykmete Bajrami i kërkon me urgjencë Kurtit të aktivizojë shtetin për të ndalur zjarrin në deponinë e Sferkës

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë urgjentisht për situatën e krijuar nga zjarri në deponinë e Sferkës, duke paralajmëruar se bëhet fjalë për një “katastrofë ekologjike”.

Bajrami ka thënë se sipas informacioneve të fundit, disa protestues dhe punëtorë që po përpiqen ta shuajnë zjarrin janë helmuar.

“Lajmet e fundit nga djegia e deponisë së Sferkës janë se disa protestues dhe punëtorë, të cilët po përpiqen ta shuajnë zjarrin, janë helmuar”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, institucionet përgjegjëse kanë dështuar të reagojnë, ndërsa ka përmendur Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor.

“Duke parë se ka dështuar secila hallkë institucionale, se nuk ka asnjë reagim dhe ndihmë nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), asnjë masë nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe asnjë veprim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, kërkoj urgjentisht nga ju, z. Kryeministër në detyrë, të ndërhyni dhe të merrni masa për të angazhuar të gjithë mekanizmat shtetërorë për të ndalur një katastrofë ekologjike”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo ka shtuar se masat e ndërmarra deri tani nga Komuna e Pejës dhe ndërmarrja “Ambienti” nuk kanë dhënë rezultat.

“Që gjashtë ditë masat e marra nga Komuna e Pejës dhe ndërmarrja ‘Ambienti’ janë treguar të pamjaftueshme dhe nuk kanë dhënë asnjë rezultat”, është shprehur ajo.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së ka kërkuar koordinim të plotë ndërinstitucional, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, brigadat e zjarrfikësve dhe Komunën e Pejës.

“Z. Kryeministër, kërkoj nga ju të lini mënjanë ngarkesat partiake dhe të veproni. Në pyetje është jeta e njerëzve, jeta e kafshëve dhe jeta e bimëve. Po rrezikohet jeta në një pjesë të Kosovës”, ka shkruar Bajrami.

Ajo i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, që të aktivizojë të gjithë mekanizmat komunalë për ta ndalur situatën.

Në fund, Bajrami ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal te Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, duke kërkuar hetimin e neglizhencës institucionale.

“Nëse ky vend ka mbetur edhe me një prokuror që e zbaton ligjin, dikush duhet të japë përgjegjësi penale për këtë katastrofë”, ka përfunduar ajo.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA