Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme, ndërsa në orët e mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive që në disa zona do të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh.
Sipas njoftimit të IHMK-së, në zona të izoluara ekziston mundësia e rrebesheve më intensive, erërave të përkohshme të fuqishme dhe paraqitjes së breshrit.
“Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat vende-vende do të shoqërohen me reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Instituti thekson se reshjet nuk do të jenë të përhapura në të gjithë vendin, por do të kenë karakter lokal.
“Reshjet do të kenë karakter lokal dhe nuk do të përfshijnë tërë territorin e vendit. Për këtë arsye, në disa rajone mund të ketë stuhi afatshkurtra, ndërsa në rajone të tjera moti do të mbetet kryesisht i thatë”, njofton IHMK.
Temperaturat maksimale gjatë ditës pritet të arrijnë nga 31 deri në 33 gradë Celsius, ndërsa erërat do të fryjnë kryesisht nga veriperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, duke u fuqizuar përkohësisht në zonat ku zhvillohen procese stuhore.
Në fund, IHMK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në ambiente të hapura.
“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës rekomandon që qytetarët të ndjekin njoftimet dhe përditësimet zyrtare të motit, si dhe të tregojnë kujdes gjatë aktiviteteve në ambiente të hapura në rast të paraqitjes së bubullimave, erërave të forta ose reshjeve intensive”, thuhet në njoftimin zyrtar.





