Mëngjesi i së martës rezultoi tragjik për 24-vjeçaren Rea Raka, e cila humbi jetën si pasojë e një vetaksidenti në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në afërsi të Komoranit.
Në këtë aksident u lënduan edhe tre persona të tjerë. Sipas informacioneve, të gjithë ishin familjarë dhe po ktheheshin nga Aeroporti i Tiranës në momentin kur ndodhi aksidenti.
Ndërkohë njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Aksidenti tragjik në Bllacë-Shkup
Një rast pothuajse i ngjashëm ndodhi edhe të dielën që shkoi. Tre kosovarë humbën jetën tragjikisht pak pasi ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit.
Ata u gjetën pajetë brenda automjetit me targa gjermane, e cila u has në rrugën Bllacë-Shkup.
Sot, Komuna e Vushtrrisë ka shpallur ditë zie me rastin e ndarjes nga jeta të tre shtetasve kosovare në mënyrë tragjike.





