PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Kryeministri Albin Kurti nuk mori pjesë në drekën joformale të Procesit të Berlinit në Tiranë, të ftuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ai ishte në një konferencë në Greqi, në të cilën Qeveria tha se ai e kishte konfirmuar pjesëmarrjen – muaj më parë, teksa theksoi se ftesa nga Rama erdhi para një jave. Opozitarët kritikuan kryeministrin Kurti, duke thënë se sjellja e tij është fëmijërore dhe e papërgjegjshme.
Për herë të tretë brenda pesë javësh, përkundër ftesave, në raste dhe formate të ndryshme, nuk janë takuar kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë, Albin Kurti dhe Edi Rama.
Këtë herë, kryeministri kosovar mungoi në drekën joformale të krerëve të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me komisionerin e BE-së, Oliver Varhelyi, të thirrur nga homologu i tij shqiptar, në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë pas tre muajsh.
Në Qeverinë e Kosovës, mungesën e kryeministrit Kurti në takimin e Tiranës e lidhën me aspektin kohor të dërgimit dhe pranimit të ftesës.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht, kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”.
Në drekën joformale nuk ishte as zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.
Në një reagim në rrjetet sociale, ish-ambasadorja, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cilësoi fëmijërore dhe të papërgjegjshme sjelljen e kryeministrit.
“Si qenka më me rëndësi një konferencë në ishujt e bukur të Greqisë sesa takimi me liderët e rajonit dhe Komisionin Evropian në Tiranë?! Kryeministër, Edi Rama nuk të ka ftuar në dasmë familjare, por në takim me liderët e rajonit, në kuadër të procesit të Berlinit. Në takime të tilla mospjesëmarrja juaj nuk është më refuzim personal i juaji karshi Ramës. Nuk ka asgjë personale këtu. Mosdurimi dhe qasja e juaj idhnake karshi Kryeministrit shqiptar po e dëmton Kosovën”.
Kritik ishte edhe ish-kryeministri, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
“Nuk ka asnjë takim tjetër më të rëndësishëm për kryeministrin e Kosovës se pjesëmarrja në takimin përgatitur që po mbahet në Tiranë. Mospjesëmarrja në këtë takim tregon mungesë serioziteti dhe respekti të kryeministrit për Tiranën dhe për Procesin e Berlinit. Mospjesëmarrja në këtë takim është heqje dorë nga obligimet shtetërore të Kosovës. Mospjesëmarrja në këtë takim është tallje me aspiratat e popullit të Kosovës për integrim evropian”.
Ndërsa, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mospjesëmarrja e Kurtit në takimin e së hënës e dëmton Kosovën.
“Mosshkuarja e kryeministrit Kurti në një takim joformal, të ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, tregon logjikën e mbrapshtë, inatçore, logjikën autoritare të një njeriu që udhëheq Kosovën. Është e papranueshme që Kosova të përjashtohet nga të gjitha tryezat. Kjo është joshtetformuese”, tha Tahiri.
Në fillim të këtij muaji, kryeministri Albin Kurti refuzoi takimin me kryeministrin Edi Rama, në turneun e Ramës në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Tiranës.
Paraprakisht, kryeministri Rama kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, e planifikuar të mbahej më 14 Qershor.