PËRGATITI: NORA LUTA
Shoqëria civile ka kritikuar projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke vlerësuar se nëse ai miratohet në Kuvend rrezikon politizimin e KPK-së. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, KDI-së dhe Lëvizjes FOL, Ministria nuk i ka adresuar disa nga vërejtjet kryesore të Gjykatës Kushtetuese, e cila e kishte rrëzuar ligjin e kaluar. Sipas shoqërisë civile, me përbërjen prej 19 anëtarëve të KPK-së, 8 prej të cilëve do të jenë joprokurorë që do të zgjidhen me shumicë të thjeshtë të votave nga Kuvendi, rrezikohet skajshmërisht politizimi i Këshillit Prokurorial.
Me projektligjin e ri për Këshillin Prokurorial, parashihet që deri në vitin 2026 ky institucion të përbëhet nga 19 anëtarë.
Por kjo rritje e numrit të anëtarëve, tetë prej të cilëve do të zgjidhen me një shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, po kritikohet nga shoqëria civile.
Sipas Lëvizjes FOL dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi, kjo përbërje dhe rregulla se kuorumi në KPK mund të krijohet vetëm edhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, paraqet politizim objektiv të këtij institucioni të drejtësisë.
Sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës, edhe dispozita që Avokati i Popullit t’i propozojë dy anëtarë joprokurorë është në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses.
Monitorues të shoqërisë civile, të cilët kanë qenë pjesë e grupit punues, kanë thënë se Ministria e Drejtësisë nuk i ka marrë parasysh komentet e tyre. Për më tepër, sipas tyre, MD-ja nuk i adresoi as rekomandimet e Venecias.
Rreth përmbajtjes së Projektligjit të ri për KPK-në, reagoi javën e kaluar edhe ky institucion, i cili theksoi se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar.
Ligjin e kaluar për KPK-në, Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të pavlefshëm, duke gjetur vërejtje edhe në balancimin e anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë.