Po përpiqeni të hyni në një faqe interneti dhe në vend që ajo të hapet menjëherë ju del përpara një test irritues.
Testi shfaq shtatë fotografi të vogla me cilësi të dobët të kafshëve dhe ju kërkon të gjeni atë që ka të njëjtat zakone ushqimore si kafsha në një fotografi të tetë, një lopë me sfond të kuq.
Ju shikoni me kujdes imazhet e paqarta. “Është kalë apo luan? Po pelikani çfarë ha?” Më në fund zgjidhni fotografinë e deles.
Urime, sapo provuat se jeni njeri, edhe pse tani pak më i irrituar. Në rastin më të mirë keni humbur disa sekonda. Në rastin më të keq, një klikim i gabuar ose një moment hutimi ju detyron ta filloni gjithë procesin nga e para.
Këto teste “A jeni robot?”, të njohura si CAPTCHA, kanë qenë pjesë e internetit pothuajse që nga fillimet e tij. Motori i kërkimit Altavista, tashmë i mbyllur, prezantoi një test të thjeshtë kundër robotëve në vitin 1997. Versionet e para të CAPTCHA-ve kishin edhe një qëllim të dobishëm: u kërkonin përdoruesve të shkruanin një fjalë të skanuar nga një tekst i vjetër, duke ndihmuar kështu në digjitalizimin e librave.
Por rritja e robotëve që kryejnë sulme kibernetike dhe, së fundmi, e sistemeve të avancuara të inteligjencës artificiale, ka përshpejtuar garën mes sulmuesve dhe mbrojtësve. Si rezultat, këto teste janë bërë më të vështira, ndërsa interneti është bërë më i ngadaltë dhe më irritues për përdoruesit.
Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Imperva, në vitin 2024 trafiku i krijuar nga robotët në internet tejkaloi për herë të parë trafikun e krijuar nga njerëzit. Kompania thotë se këtë e kanë nxitur chatbot-et që mbledhin informacion nga interneti, si edhe inteligjenca artificiale që ndihmon robotët të shmangin zbulimin.
“Vëllimi i madh i agjentëve të IA-së që mbledhin të dhëna për të trajnuar modelet e mëdha gjuhësore ka ndryshuar plotësisht rregullat e lojës,” thotë BryanBecker, drejtor produkti në Cloudflare, kompani që zhvillon sisteme mbrojtëse kundër robotëve.
Robotët po u shmangen CAPTCHA-ve
Pronarët e faqeve të internetit, në përgjithësi, nuk i pëlqejnë robotët. Ata mund të përdoren për të mbingarkuar një faqe me trafik dhe për ta nxjerrë jashtë funksionit. Shpesh përdoren edhe nga konkurrentët për të mbledhur të dhëna mbi çmimet ose nga spekulantët për të blerë bileta apo për të rezervuar vende në testet e patentës së drejtimit.
Gjithnjë e më shumë po përdoren edhe “agjentë IA-je”, që kryejnë detyra në emër të përdoruesve të tyre. Kjo do të thotë se nuk ka njeri që të shohë reklamat apo të bëjë blerje spontane, ndërsa të dhënat mblidhen shpesh pa pëlqimin e pronarëve të tyre.
CAPTCHA-t dhe testet e tjera kundër robotëve janë bërë të kudondodhura. Cloudflare, e cila përdor edhe metoda të tjera si kutitë “Verifiko që je njeri”, thotë se tani kryen 7.7 miliardë kontrolle në ditë, nga 2.1 miliardë që ishin në vitin 2023.
Megjithatë, robotët janë bërë më të aftë për t’i kaluar këto pengesa. Dy vjet më parë, studiues të Universitetit të Cyrihut zbuluan se sistemet e të mësuarit automatik mund të zgjidhnin 100% të testeve të reCaptcha-s, sistemi CAPTCHA i Google. Ky është sistemi që ju kërkon të klikoni të gjitha katrorët ku shfaqen autobusë, ura ose hidrantë në një rrjet me 16 kuti.
Si përgjigje, kompanitë i kanë bërë testet edhe më të ndërlikuara. ArkoseLabs, e përdorur nga shumë kompani teknologjike, u kërkon vizitorëve të zgjedhin çiftin e zareve që bën shumën shtatë ose të zhvendosin një personazh vizatimor në vendin e duhur në avion. Kompania i reklamon këto teste si “rezistente ndaj IA-së”.
Kompania rivale hCaptcha u tregon përdoruesve nëntë fotografi ushqimesh dhe pijesh, duke u kërkuar të zgjedhin cilat prej tyre përbëjnë një pjatë kryesore. “Mendoj se këto teste janë bërë për të penguar njerëzit, jo robotët,” shkruan një përdorues në internet.
Një zëdhënës i hCaptcha tha se të dhënat e kompanisë tregojnë se njerëzit nuk po marrin më shumë kohë për t’i përfunduar testet, “por larmia e pyetjeve është rritur me kalimin e kohës, pasi edhe sulmet janë bërë më të sofistikuara”. Kompania shton se duhet t’i përditësojë vazhdimisht testet për të përballuar automatizimin.
Megjithëse shumica e njerëzve nuk kanë vështirësi për t’i zgjidhur këto teste, organizatat që mbrojnë personat me aftësi të kufizuara thonë se ato shpesh përjashtojnë njerëzit me probleme të shikimit. Dhe koha e humbur nuk është e vogël. Cloudflare vlerësoi pesë vjet më parë se një CAPTCHA kërkon mesatarisht 32 sekonda për t’u plotësuar, çka do të thotë se njerëzimi humbet gjithsej rreth 500 vite çdo ditë vetëm duke zgjidhur këto teste.
Masat gjithnjë e më të ndërlikuara të mbrojtjes rrezikojnë gjithashtu ta ngadalësojnë internetin, pasi çdo faqe shton shtresa të reja sigurie.
“I gjithë koncepti i CAPTCHA-së është, në fund të fundit, një betejë e humbur. Mund të duket si një garë armatimi, por ne, njerëzit, e kemi humbur tashmë,” thotë profesori GeneTsudik nga Universiteti i Kalifornisë në Irvine.
Disa faqe po marrin masa edhe më drastike, duke u kërkuar përdoruesve të krijojnë llogari ose të identifikohen më shpesh për të provuar se janë njerëz. Reddit njoftoi këtë muaj se përdoruesit do të duhet të jenë të identifikuar për të parë postimet e vjetra, me qëllim që “të kufizojë mënyrën se si sistemet e automatizuara kanë qasje te Reddit”.
Nuk ka shenja se robotët do të zhduken, as se nevoja për t’u mbrojtur prej tyre do të pakësohet.
“Nëse nuk ndalojmë robotët, situata do të jetë edhe më e keqe, sepse një valë e pakontrolluar trafiku të automatizuar do t’i mbingarkojë serverët dhe do t’i nxjerrë faqet jashtë funksionit,” thotë BryanBecker nga Cloudflare.
Njerëzit tashmë janë pakicë në internet. Dhe të provosh se je njëri prej tyre do të bëhet gjithnjë e më e vështirë. /Telegraph





