PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI
Numri i turistëve të huaj që po e vizitojnë qytetin e Gjakovës ka shënuar ngritje. Përveç atyre që vijnë për ta parë trashëgimisë kulturore ka edhe të tjerë që gjatë sezonit të verës zhvillojnë biznes në këtë qytet.
Martine De Bias ka ardhur nga Italia për ta vizituar qytetin e Gjakovës.
Sipas saj, gjithë çfarë e bën Gjakovën të jetë vend atraktiv, janë trashëgimia kulturore e pozita e përshtatshme gjeografike.
“Kemi zgjedhur pikërisht Gjakovën sepse ndihemi shumë të sigurt, është e pasur me shumë bukuri natyrore, monumente historike dhe kjo është shumë e mirë për Kosovën, me një fjalë qytet i vogël por me plot begati”.
Numri i turistëve në këtë qytet, sipas statistikave zyrtare, ka shënuar rritje.
“Në fillim të sezonit veror, qyteti i Gjakovës po shihet të jetë epiqendër për turistët nga e mbarë bota, e gjitha kjo për shkak të potencialit të mirë në fushën e turizmit”.
Përveç vizitave turistike, begatitë që ofron ky qytet po i shtyn disa turistë të bëjnë plane më afatgjate.
“Gjakovën nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër, si rrjedhojë kemi kafenenë këtu me disa shokë që punojmë mundohemi të jemi sa më shpesh këtu”.
“Përveç kafenesë e cila na obligon të vijmë më shpesh këtu, edhe festivalet e ndryshme e bëjnë më të veçantë këtë qytet”.
Numrit të lartë të turistëve i gëzohen edhe qytetarët e Gjakovës.
“Janë të mirëseardhur dhe ne iu ndihmojmë me shumë kënaqësi në prezantimin e vendeve”.
Dalon Kulludra nga Zyra e Informimit në Gjakovë, përmend disa nga monumentet që turistët po i vizitojnë më së shumti.
“Kulla e Abdullah Pashë Drenit, hani i Haraçisë, Muzeu Etnografik, Çarshia e Madhe janë vetëm disa nga monumentet kulturore e historike që i shtojnë bukurinë qytetit të Gjakovës”.
Brenda një viti, mesatarisht Gjakova vizitohet nga 10 mijë turistë.