Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, gjatë Konferencës së IX-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila u mbajt të martën në Bruksel.
Bëhet fjalë për kapitujt 25, 26 dhe 30, të cilët lidhen me shkencën dhe hulumtimet, arsimin dhe kulturën, si dhe politikën e jashtme.
Dy prej këtyre kapitujve, 25 (Shkenca dhe Hulumtimet) dhe 26 (Arsimi dhe Kultura), zakonisht konsiderohen fusha ku nuk ka nevojë për negociata të thelluara, pasi nuk ekziston një kornizë e përbashkët ligjore e Bashkimit Evropian, por vetëm disa parime bazë.
Megjithatë, sipas metodologjisë së re të procesit të zgjerimit të BE-së, edhe këto kapituj nuk mund të mbyllen pa miratimin e raportit të ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e sundimit të ligjit (IBAR).
Shqipëria e ka siguruar këtë raport pas disa vonesave, për shkak të rezervave të disa shteteve anëtare të BE-së, duke hapur kështu rrugën për mbylljen e kapitujve negociues.
Kapitulli 30, që lidhet me politikën e jashtme, është mbyllur gjithashtu, pasi Shqipëria ka qenë e përafruar plotësisht me qëndrimet e Bashkimit Evropian në këtë fushë. Për më tepër, vendi është anëtar i NATO-s.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pas konferencës në Bruksel, e ka cilësuar këtë zhvillim si një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian.
“Ky është një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin tonë të pakthyeshëm drejt Bashkimit Evropian”, është shprehur Rama.
Ndërkaq, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e ka cilësuar këtë moment historik për Shqipërinë, por ka paralajmëruar se vendi ka ende punë përpara për përmbylljen e të gjithë kapitujve negociues.
Negociatat e Shqipërisë me BE-në përfshijnë gjithsej 33 kapituj. Vendi kishte shënuar progres të madh vitin e kaluar duke arritur hapjen e të gjithë kapitujve, ndërsa tash ka hyrë në fazën e mbylljes së tyre.






