Mbrëmë u raportua për një rast të një personi të plagosur nga përfshirja me armë zjarri në veri të Mitrovicës, rast ky, për të cilin pati reagime të shumta, ndër to kur në mediat serbe u tha se në këtë rast ishte përfshirë një zyrtar policor i Kosovës.
Lidhur me këtë, Policia e Kosovës përgënjeshtroi mediat serbe, duke deklaruar se nuk ka plagosur asnjëri.
Mirëpo pasditen e sotme Policia e Kosovës ka reaguar përsëri.
Sipas një komunikate për media, Policia e Kosovës, njoftoi se pas hetimeve të pandërprera dhe angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, dyshohet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri, shkruan atvlive.tv.
“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, bëhet e ditur se janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast.
Tutje, Policia njoftoi se për këtë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, për procedura të mëtejme penale.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat zyrtare konform autorizimeve ligjore, të mbajë të informuar opinion në mënyrë të drejt dhe të paanshme, pa marrë parasysh se kush është përfshirë në rast dhe në asnjë rrethanë të vetme, nuk do të veprojë ndryshe, vetëm sipas legjislacionit në fuqi. Njëkohësisht Policia e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorin e Shtetit, me qëllim që të vazhdojë të mbajë përgjegjës zyrtarët policorë, të cilët nuk përkojnë dhe veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale”, përfundon komunikata./atvlive.tv/