Paraqitja mbresëlënëse e Ferrarit në Çmimin e Madh të Barcelonës ka ndryshuar ndjeshëm balancat në Formula 1, duke e shndërruar skuadrën italiane në një pretendente serioze për të dy titujt e kampionatit këtë sezon.
Një vlerësim i tillë vjen edhe nga kampioni i botës, Lando Norris, i cili beson se “kokëkuqja” ka bërë një hap të madh përpara dhe se rivalët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj potencialit të saj.
Sezoni nuk ka nisur sipas pritshmërive për pilotin britanik dhe McLarenin. Deri më tani, Norris ka arritur të fitojë vetëm një garë sprint, ndërsa skuadra kampione e botës nuk ka treguar dominimin që shumëkush priste. Në të njëjtën kohë, rikthimi i Ferrarit në majën e konkurrencës ka shtuar presionin mbi rivalët.
Duke analizuar forcën aktuale të skuadrës italiane, Norris nuk i kurseu vlerësimet.
“Jemi me fat që Ferrari nuk ka një motor më të fuqishëm në këtë moment”, deklaroi britaniku.
Sipas tij, përmirësimet e shfaqura në Barcelonë janë vetëm një paralajmërim për atë që mund të vijë në vazhdim të sezonit.
“Ata treguan potencialin e tyre në Barcelonë. Nëse do të kishin një motor më konkurrues, do të dominonin garat. Për momentin, Ferrari është skuadra më e fortë në kthesa dhe askush nuk është afër nivelit të tyre në atë aspekt”, u shpreh Norris.
Piloti i McLarenit paralajmëroi se ardhja e përditësimeve të reja teknike mund ta bëjë Ferrarin edhe më të frikshëm në pistë.
“Kur të sjellin zhvillimet e reja në motor, mund t’i lënë të gjithë pas. Shpejtësia e tyre mund të bëhet e pakapshme për rivalët. Ne duhet të punojmë shumë më tepër nëse duam të mbetemi në garë për titullin”, përfundoi kampioni i botës.
Deklaratat e Norrisit tregojnë qartë respektin që po fiton Ferrari në paddock, ndërsa sezoni i Formula 1 po hyn në një fazë ku beteja për titull pritet të bëhet më e ashpër se kurrë.





