Bajram Muharremi, babai i këngëtarit Blerim Muharremi që njihet si Blero, këtë vit ka kryer haxhin, që është një nga pesë shtyllat e Islamit.
Ai, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin n’Frekuencë me Robin në ATV, ndau me shikuesit përjetimet e tij në vendin e shenjtë të Mekës si dhe qytetin e profetit Muhamed, Medinën.
Bajrami tha se vizita e tij në Mekë, për të ishte një ndjenjë tepër e veçantë, ku i kishte ndodhur shpeshherë që gjatë namazit t’i rridhnin edhe lotët.
“Unë do të jem shumë i sinqertë, vizitën time aty që ma mundësoi Zoti i Madhërueshëm të bëj aty, në Mekë, në harem ata e quajnë, shpeshherë ka ndodhur që gjatë namazit më kanë rrjedhë edhe lotët. Ishte e pamundur që të mundesh me përballu për pa të shku lotët”, rrëfeu Bajrami.
Ai tha se kjo ishte vizita më e bukur në jetën e tij dhe shpreson se nuk do të jetë e fundit.
“Ishte një ndjenjë e veçantë, ishte një kënaqësi e veçantë. Për mua ka qenë kjo vizita më e bukur në jetën time të cilën e kam bërë dhe do të jetë, ishalla nuk do të jetë hera e fundit që e vizitoj atë vend. Temperaturat kanë qenë jashtëzakonisht të larta”, u shpreh Bajrami.
Gjatë vizitës së tij në Medine, ndjenjë e veçantë për të ishte edhe falja e namazit te varri i profetit Muhamed.
“Pos Mekës, në Medine është xhamia e profetit Muhamed, e cila i zë një milion njerëz të falen brenda, po ashtu edhe përjashtë. Ka pasur raste që brenda ka qenë shumë vështirë të gjejmë një vend që të falemi. Vizita e vorrit, apo në xhami të profetit Muhamed ku e kem bërë, falë hoxhës nga Mitrovica Fuad Ferati, Asllan Fazliu edhe Kastriot Behrami, të cilët na mundësuan, ne katër kemi hyrë aty dhe jemi falë. Muhamedi e quan atë, “është bahqja e Xhenetit”. Aty i kemi falë katër reqate edhe lutje që i kemi bë aty. Ishte një ndjenjë e veçantë, aty brenda kur hyn, i ke prej kur profeti Muhamed ku e ka mbajtë namzin e vet, në atë xhami aty, 30 metra prej aty e ka pasur shtëpinë e vet, edhe ai e quan “ky është kopshti i Xhenetit”. Janë ndjenja shumë të veçanta, është kënaqësi shumë e madhe, je krejt në tjetër botë. Tu duket vetja që je i lidhur drejtpërsëdrejti dhe gjithmonë duhet me kanë ashtu, po me Zotin”, ka rrëfyer Bajram Muharremi. /atvlive.tv