Rita Ora është pjesë e ekipit të producentëve ekzekutivë të dokumentarit Jail Time Records, i cili do të ketë premierën botërore në kuadër të Tribeca Festival.
Dokumentari sjell një histori të veçantë nga Burgu Qendror i Doualës në Kamerun, ku një grup të burgosurish krijojnë muzikë brenda një studioje regjistrimi të ndërtuar në ambientet e burgut. Filmi ndjek rrugëtimin e tyre artistik dhe mënyrën se si muzika shndërrohet në shpresë dhe motivim edhe në kushte të vështira jetese.
Përveç Rita Orës, në mesin e producentëve ekzekutivë është edhe Taika Waititi. Dokumentari është realizuar nga regjisorët Dione Roach dhe Steve Happi, të cilët fokusohen te fuqia që muzika ka për të ndryshuar dhe bashkuar njerëzit.
“Jail Time Records” do të shfaqet në disa seanca gjatë Tribeca Festival në New York, duke sjellë para publikut një histori ndryshe për artin, shpresën dhe jetën pas mureve të burgut.





