Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, pas përballjes së zhvilluar të dielën në Pragë kundër Çekisë.
Seanca e radhës stërvitore është mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku nën drejtimin e stafit teknik janë stërvitur 11 futbollistë. Pjesa tjetër e ekipit ka ndjekur një program rigjenerues në hotel, me qëllim rikuperimin pas angazhimit në ndeshjen e fundit.
Përzgjedhësi dhe bashkëpunëtorët e tij po vazhdojnë punën me intensitet të lartë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes taktike dhe fizike të skuadrës për testin e ardhshëm miqësor.
Dardanët synojnë një paraqitje bindëse ndaj Andorrës, në një ndeshje që do të shërbejë si mundësi e mirë për të vlerësuar formën e futbollistëve dhe për të forcuar kohezionin e grupit para sfidave zyrtare që e presin Kosovën në muajt në vijim.
Përgatitjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, me fokus të plotë te miqësorja e dytë dhe objektivat e Kombëtares për periudhën në vazhdim.





