Kombëtarja e Francës po përballet me një situatë shqetësuese lidhur me gjendjen fizike të mbrojtësit William Saliba, i cili mund të mungojë në Botërorin 2026 për shkak të një dëmtimi të rënduar.
Qendërmbrojtësi i Arsenalit kishte vuajtur nga një problem në kyçin e këmbës edhe më herët, por gjendja e tij është përkeqësuar pas paraqitjes në ndeshjen ndaj PSG-së, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rikthimin e tij në kohë për turneun më prestigjioz të futbollit.
Sipas burimeve pranë ekipit kombëtar francez, ekzaminimet e fundit mjekësore kanë zbuluar se lëndimi është më kompleks sesa ishte vlerësuar fillimisht. Për këtë arsye, stafi mjekësor po ndjek me kujdes evolucionin e situatës, ndërsa ende nuk ka një afat të qartë për rikuperimin e plotë të lojtarit.
Saliba është një nga figurat kyçe të repartit defensiv të Francës dhe një nga mbrojtësit më të vlerësuar në futbollin evropian. Një mungesë e mundshme e tij në Botëror do të përbënte një goditje të madhe për planet e trajnerit dhe ambiciet e “Gjelave” në garën për trofeun.
Në ditët në vijim, lojtari do t’i nënshtrohet kontrolleve të tjera specialistike, të cilat do të përcaktojnë më qartë shkallën e dëmtimit dhe shanset e tij për të qenë gati në kohë për Botërorin 2026.





